Supe gruri është një pjatë e shijshme që mund ta shijojmë gjatë stinës së ftohtë. Gruri është i pasur me shumë vlera ushqyese si vitamina, kripëra minerale e fibre. Kjo është një pjatë e shëndetshme dhe e shijshme.
Si fillim pastrojmë e lajmë mirë grurin. E fusim në një enë qelqi dhe e mbushim me ujë, e lemë kështu përreth 30 minuta. Më pas e kullojmë.
Marrim qepën, preshin, karotën e selinonë, i lajmë, e i presim në copa të vogla. Më pas i hedhim në një tenxhere ku kemi hedhur më parë vaj ulliri. Vendosim tenxheren në zjarr, i trazojmë herë pas here. Shtojmë në këtë moment grurin. E trazojmë mirë. Pas disa minutash shtojmë domatet e grira. E mbulojmë tenxheren me kapak dhe ulim zjarrin. Kur domatja të jetë shkrirë komplet shtojmë ujë të ngrohtë. I hedhim kripë, piper dhe gjethet e dafinës, i trazojmë mirë dhe i mbulojmë me kapak. I lemë të ziejë përreth 40-50 minuta.
Nëse gruri do akoma të ziejë mund të shtojmë akoma ujë të ngrohtë dhe e lemë të ziejë akoma. ( Mund të shkurtoni kohën e zierjes së grurit nëse e zieni në tenxhere presioni).
Më pas e hedhim supën në pjata dhe e shërbejmë të nxehtë me pak vaj ulliri sipër.