Lani mirë gjithë peshkun. Sepiet dhe kallamarët pritini në rrathë. Pastroni karkalecat. Me anën e majës së një thike të mprehtë, prisni të gjithë peshkun në fileto duke pasur kujdes të hiqni të gjitha halat dhe lëkurën. Kockat e peshkut i hidhni në një tenxhere, shtoni 1 qepë, karotën, dhe një degë selinoje. Hidhni në të 1 litër e gjysmë ujë dhe liheni të ziejnë përreth 40-50 minuta. Më pas kullojeni mirë me një copë të pastër lëngun e përgatitur.
Në një tenxhere të madhe hidhni vaj ulliri dhe një thelpi hudhre. Shtoni në të frutat e detit ( midhjet, karkalecat dhe xhivallet). Shuheni me një gotë verë të bardhë dhe lëreni në zjarr derisa të hapen të gjitha frutat e detit. Më pas qërojini dhe lëngun e përgatitur kullojeni mirë.
Në një tjetër tenxhere të madhe ku keni hedhur vaj ulliri skuqni qepen e grirë, hudhrën dhe specin djegës. Shtoni më pas domatet e qëruara e të prera në copa. Pasi janë kavërdisur mirë shtoni një gotë verë të bardhë dhe lëreni të ziejë përreth 20 minuta.
Më pas filloni të shtoni peshkun një nga një. Në fillim shtoni kallamarët, sepiet e më pas peshqit e tjerë duke filluar nga ata që duhet të zihen më shumë ( peshku bishtuk ) e më pas gjithë peshqit e tjerë me radhë. Shtoni pastaj lëngun e përgatitur me frutat e detit dhe lëngun e përgatitur me kockat e peshkut. Hidhini kripë e piper dhe mbulojeni me kapak. Lëreni të ziejë derisa lëngu të trashet. Në fund shtoni frutat e detit. Trazoheni mirë, shtoni majdanoz të grirë hollë.
Supën e përgatitur e hidhni në pjata, sipër vendosni feta buke të thekur të lyera me vaj ulliri e hudhër. Shërbejeni supën të ngrohtë.
Ju bëftë mirë !